Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar sot se nëse PD do vijë në pushtet, vendimi i tij i parë si Kryeministër do të jetë shfuqizimi i Ligjit të Arsimit të Lartë.
"Ju jap fjalën sot se, akti i parë, do të jetë anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Paratë e prindërve do të shkojnë për të financuar universitet publike dhe s'do mbetet asnjë student pa hyrë në Bachelor apo Mastër. Paratë do të shkojnë për të financuar arsim të lartë dinjitoz dhe të pranueshëm për çdo shqiptar. Do fillojmë stazhet e punës të paguyara nga shteti për 10000 mijë të diplomuar, për të qenë më të aftë për të përballuar tregun e punës", u shpreh Basha.
Gjatë një takimi me të rinjtë demokratë të njësisë nr.7 në kryeqytet, Basha ftoi qytetarët që t'i bashkohen protestës së PD në 18 shkurt në kryeqytet. Sipas Bashës, kushti i PD mbetet garancia për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
"Provën e keni, keni Rumaninë këtu afër, kur ngrihen qytetarët, magjia e zezë e korrupsionit bie. 18 shkurti është dita e shpresës e bashkimit dhe fillimi i një lëvizje të madhe që nis me një vendim të madh që do ta marrim së bashku në 18 shkurt, vendimin që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të diktojmë një qeverisje ndryshe, të qytetarëve, do të diktojmë një shtet ndryshe, jo shtetin që vret mundësinë dhe shpresën e të rinjve që i detyron të emigrojnë apo të shkojnë në parcelat e drogës, por një shtet që mbështet dhe financon vendet e punës për rininë. Këto do të garantojë PD", tha Basha.