DURRËS-Qyteti i Durrësit prej tre ditësh vuan për furnizimin me ujë të pijshëm, shkak për këtë ka qenë dy defekte të njëpasnjëshme në tubacionin kryesor që furnizon me ujë qytetin e Durrësit dhe për këtë arsye janë shkaktuar probleme në furnizimin me ujë.
Avari të tilla janë të shpeshta në këtë qytet pasi rrjeti i tubacioneve është mjaft i amortizuar. Sipas përgjegjësit të mirëmbajtjes së rrjetit, Gerald Dautaj, është punuar pa ndërprerje gjatë 48 orëve të fundit për të bërë të mundur riparimin e defekteve.
Tubacioni që furnizon me ujë qytetin bregdetar ka një moshë 45-vjeçare, amortizimi për shkak të viteve ka sjellë defekte të shpeshta në linjën nga Fushë Kuqja deri në Durrës.
Furnizimi me ujë i lagjeve të qytetit pritet të normalizohet gjatë ditës së sotme, fillimisht në lagjet që e kanë orarin e furnizimit gjatë pasdites.