Dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë nuk justifikojnë me dokumentacion ligjor një pjesë të pasurive të paluajtshme, huamarrjeve dhe llogarive bankare. Në zbatim të ligjit të Vetingut, Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, ka nisur prej disa ditësh procedurën e kontrollit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas përparësisë të parashikuar në ligj.
Shqiptarja.com ka mësuar se nga hapja e dosjeve të para të pasurive, janë konstatuar mungesa të theksuara në dokumentacion, kryesisht për justifikimin e pasurive të paluajtshme, të deklaruara para dhe gjatë ushtrimit të detyrës.
Ashtu siç edhe paralajmëroi vetë Unioni i Gjyqtarëve, në fund të vitit të kaluar, në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të Vetingut, një pjesë e njerëzve të drejtësisë nuk vërtetojnë dot ligjshmërinë krijimit të pasurive.