LEZHË-Një i moshuar ka humbur jetën, pasi u përplas nga një furgon në supestradën Lezhë-Laç.
Aksidenti u regjistrua rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa viktimë mbeti Lek Bela 74-vjeç nga fshati Pllanë i Lezhës.
74-vjeçari ka qenë duke lëvizur në anë të supestradës, kur është goditur nga një furgon mallrash me targa AA 782 BB që drejtohej nga Ardit Dani 32-vjeç banues në Tiranë.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të moshuarit.
Nga të dhënat e para të policisë është bërë e ditur se shkak për aksidentin ka qenë errësira në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara që po lëvizte drejtuesi i furgonit i cili e ka pasur të pamundur të manovrojë që të shmangte përplasjen.
Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin është shoqëruar menjëherë në polici dhe po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ky është aksidenti i dytë i kësaj natyre që ndodh në supestradën Lezhë-Laç, pasi dhe tre ditë më parë një automjet përplasi për vdekje një këmbësor, ndërsa autori i aksidentit ende nuk është identifikuar dhe ndaluar nga policia.