Komisioni hetimor për aferën CEZ pas më shumë se një orë mbledhje, nuk ka arritur të marrë dëshminë e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai ka refuzuar të bëjë betimin përpara anëtarëve të komisionit, çka sipas ligjit e bën të pavlefshme dëshminë e tij.
Kryetari i komisionit, deputeti socialist Taulant Balla kërkoi nga dëshmitari të bënte betimin dhe të jepte gjeneralitetet, por kjo u refuzua nga Shkëlzen Berisha.
Ky i fundit tha se deputeti socialist është në konflikt interesi për shkak të vendimit të gjykatës i cili e ka dënuar Ballën për shpifje.
"Gjeneralitetet e mia i ke te vendimi i gjykatës i dënuar për shpifje. Nuk betohem para një të dënuari për shpifje", u shpreh Berisha.
Nga ana e tij, Balla u shpreh se pa bërë betimin, dëshmia është e pavlefshme dhe kërkoi ndërprerjen e mbledhjes së komisionit.
" Atëherë nëse dëshmitari nuk bën betimin, ndërpritet seanca dhe mbyllet mbledhja e komisionit", tha Balla.
Në një prononcim për mediat jashtë komisionit, Balla tha se Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe Nuel Kalaj, kanë bërë marrëveshje mes tyre për të mos dhënë informacione përpara komisionit hetimor.