Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Kryeministri, Isa Mustafa, i ka njohur investitorët italianë me potencialet që ofron Kosova teksa drejtoi delegacionin e Prishtinës zyrtare në Romë në kuadër të mbajtjes së Forumit për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Në këtë takim mjaft të rëndësishëm u firmos edhe një marrëveshje, ku u ra dakord për vendosjen e bashkëpunimit ekonomik midis Dhomës Tregtare të Kosovës dhe Agjensisë Italiane për promovimin ndërkombëtar të sipërmarrjeve si dhe nisja e marrëdhënieve dy palëshe mes Agjensisë kosovare të investimeve KIESA dhe Agjensisë italiane të zhvillimeve tregtare dhe industriale.
Në një prononcim për Ora News, Kryeministri Mustafa deklaroi se Prishtina mbetet e interesuar për të bashkëpunuar me Italinë, jo vetëm për shkëmbime tregtare, por edhe në fushën e prodhimit, energjisë së ripërtëritshme dhe përpunimit të mineraleve.
Mustafa: Jemi shumë të interesuar të intensifikojmë fushën e ekonomisë që të kemi më shumë ardhje të investitorëve italianë në Kosovë, që ajo ardhje të mos jetë vetëm në fushën e tregtisë por dhe fushën e prodhimit.
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe kreu i Dhomës Kosovare të Tregtisë, Safet Gërxhaliu.
Gërxhaliu: Këto raporte të mira politike mes Italisë dhe Kosovës duhet të forcohen dhe më tepër përmes bashkëpunimit ekonomik, përafrimit të interesave dhe definitivisht rruga më e mirë është të krijohen efekte mes dy komuniteteve.
Në mbyllje, Kryeministri shprehu bindjen se forume të tilla ndihmojnë në përafrimin e bizneseve nga të dyja vendet me njëri-tjetrin gjë që automatikisht do të sjellë shtim të bashkëpunimit mes palëve në sektorët kryesorë të ekonomisë.
Për më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/rajoni/mustafa-fton-investitoret-ne-rome-me-shume-aktivitete-ne-vendin-tim/