Nga Kinostudio në aktivitetin e organizuar për policinë rrugore, ministri Saimir Tahiri iu përgjigj akuzave të LSI dhe opozitës kundër policisë së shtetit duke theksuar se policia është institucioni më i besuar në Shqipëri.
Pyetjes së gazetarëve për akuzat e ministrit Manjani, ai iu përgjigj duke thënë se lufta ndaj korrupsionit është përgjigja më e mirë për cilindo dhe se policia e shtetit po bën maksimumin.
"Për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar jemi shumë të vendosur për të luftuar korrupsionin. E papranueshme dhënia e ryshfetit për policinë.
Policia po bën maksimumin, 39 të arrestuar vetëm në Janar janë prova më e mirë, kujtesa më e mirë për cilindo që nuk e kuptuar që luftën ndaj korrupsionit e kemi seriozisht" tha ai.
Ndërsa nuk iu përgjigj akuzave të tjera të Manjanit për kontrollin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga policia.
Tahiri u shpreh se policia e shtetit nuk mund të diktohet nga politika dhe se ka ikur koha e të paprekshmëve, ndërsa shtoi se sapo ka filluar beteja për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.