Report TV - Skandal, i njëjti ashensor dhe në pallatin ngjitur ku u dogj 30-vjeçarja

2017-03-31 0

Zjarri i rënë 4 ditë më parë në një ashensor te një pallat në zonën e Freskut ka sjellë shqetësimin e banorëve edhe në pallatet e tjerë në kryeqytet. Vetëm pak metra larg vendit ku humbi jetën 30-vjeçarja Drilona Duriçi, në pallatin ngjitur, përdoret i njëjti ashensor, me të njëjtat standarte e funksionim.

Ka qenë e njëjta firmë ndërtuese e cila ka ndërtuar këtë kompleks pallatesh dhe ka vendosur të njëjtin model ashensorësh, me kavo dhe me depozitën e vajit poshtë këmbëve të qytetarëve.

Jashtë kamerave banorët shprehen të shqetësuar për rrezikun që u kanoset.

"Do digjemi dhe ne. Ky fat na pret. Nuk e marrim me ashensorin nga frika", tha një prej banorëve.

"Skandal, ashensori ynë është si ai ku vdiq vajza", thotë një tjetër banor.

As në këtë pallat nuk ka administrator dhe ata kërkojnë që të vendoset një person përgjegjës në mënyrë që të kujdeset për mirëmbajtjen e ashensorit. Firma që ka kryer punimet u ka dorëzuar hipotekat banorëve dhe ata tashmë duhet që ta mirëmbajnë duke vendosur një person përgjegjës.

Ndërkohë në pallatin ku ashensori mori flakë banorët janë kujdesur që të mbyllin dyert në mënyrë që të mos rrezikohen fëmijët.