Shumë shpejt zona e Laprakës do të ketë një kinema, e cila do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike.
Bashkia e Tiranës, me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, ka nisur rikonstruksionin e plotë të godinës së vjetër të kinemasë në njësinë 11, e cila prej vitesh ishte jo funksionale.
Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe që do t?i shërbejë afro 60 mijë banorëve të zonës.
?Jemi këtu për të inspektuar kinemanë e Laprakës, e cila ndryshe njihet edhe si kinemaja e Maks Velos, që arkitekti ynë i famshëm e ka projektuar disa dekada më parë, por që më pas është rrënuar. Sot kjo kinema po merr një pamje të re. Jemi pak muaj përpara se ky projekt të përfundojë dhe besoj se në verë, do të kemi një kinema publike, jo private, për funksione publike të komunitetit, jo vetëm për shfaqjen e filmave, por për të promovuar të rinj të talentuar?, tha Veliaj. Kryebashkiaku theksoi se me këtë investim merr më shumë formë ideja e një prej qendrave të Tiranës policentrike.