Mosdënimi i vrasjes së katër protestuesve më 21 janar 2011 është një vrasje e dytë dhe një dënim për katër viktimat.
Kështu u shprehën familjarët e Ziver Veizit, të cilët bëjnë thirrje që drejtësia të vihet në vend.
Kunata e Ziverit, Vera Veizi, shprehet se drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e vet për këtë krim shtetëror të ndodhur në dyert e Kryeministrisë.
"Drejtësia është që të gjendet kush e vrau, të dënohet, të marrë ndëshkimin ai që e vrau. Por mua më duket sikur është dënuar ky që vdiq, duket sikur është dënuar ky me vdekje", thotë Vera Veizi.
Në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në mesditë në varrezat e fshatit Zenelaj, ku prehen eshtrat e Ziverit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë Socialiste të qarkut Gjirokastër, familjarë, të afërm, si dhe ministrat Blendi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.
Dy ministrat e qeverisë Rama shprehën solidaritet me familjen e Ziver Veizit dhe kërkesën e tyre për drejtësi.
"Të vendoset drejtësia për Veizin dhe shokët e tij të rënë më 21 janar", tha Çuçi.