Report TV - 'EULEX', si do të hetohen nga të huajt 800 gjyqtarë dhe prokurorë

2017-03-31 0

Konfirmimi i ligjit të Vetingut në përputhje me Kushtetutën dhe konventat evropiane, fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pas nga Gjykata Kushtetues, ka legjitimuar vendosjen e një lloji EULEX-i në Shqipëri, me anë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Nëse Kushtetuta e re, për shkak të këmbënguljes së Partisë Demokratike, përgjithësoi dhe kufizoi rolin e ONM, ligji i Vetingut ka detajuar kompetencat e këtij organi ndërkombëtar, i cili do të marrë në dorë dosjet e 800 prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kështu, për herë të parë, një strukturë e tillë ndërkombëtare, e përbërë nga prokurorë dhe gjyqtarë të huaji, me jo më pak se 15 vjet eksperiencë, do të hetojë në mënyrë shteruese veprimtarinë e 800 njerëzve të drejtësisë, por edhe praktikat korruptive të politikës.

Hetuesit e huaj do të kenë akses të pakufizuar në dosjet e njerëzve të drejtësisë, do të marrin çdo dokument të nevojshëm nga institucionet e huaja dhe ato ndërkombëtare, do të hetojnë si dhe do të propozojnë, rast pas rasti, largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi, në bazë të gjetjeve.