Vitin që Nuel Kalaj, i akuzuar si sekseri i marrëveshjes mes qeverisë ?Berisha? dhe çekëve për privatizimin e OSSH, mori 7 milionë euro nga CEZ, me çantë, në një bankë të nivelit të dytë, llogaritë bankare të Shkëlzen Berishës janë shtuar me mbi 300 mijë euro. Rastësi apo jo, fjala e fundit u mbetet organeve ligjzbatuese, por pas tërheqjeve të parave nga Nuel Kalaj, i biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, ka deklaruar shuma të mëdha të ardhurash dhe blerje pasurish të paluajtshme. Gjatë dy viteve të mëvonshme, pra gjatë 2009-2010, Shkëlzen Berisha ka deklaruar rreth 600 mijë euro shtesa në llogari. Po gjatë vitit 2009, Shkëlzen Berisha ka blerë një makinë 18 mijë euro, ndërsa në vitin 2012 ka blerë një tjetër makinë, me vlerë 85 mijë euro. Në vitin 2013 ka blerë një apartament me sipërfaqe 198 m2 dhe parkingu, tek ETC në Tiranë, me vlerë 346 mijë euro. Për të mbuluar shpenzime të tilla, i biri i kryeministrit, herë pas here, ka marrë kredi. Kredinë më të madhe e ka marrë në vlerën 277 mijë euro.