Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duket se nuk ka asnjë plan për të rishikuar pozicionin e tij në krye të opozitës pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 18 Qershorit. Si rrallë ndonjëherë, kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, në takimin e fundit me aleatët dhe bashkëpunëtorët e tij më të besuar, ka deklaruar se koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike nuk ka asnjë mundësi për të fituar zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit përballë koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste.
Shqiptarja.com ka mësuar nga të pranishmit në takimin e fundit se, Lulzim Basha, nisur edhe nga 7 humbjet radhazi të PD në 6 vitet e fundit, ka deklaruar se, një proces normal zgjedhor në 18 Qershor është në disfavor të opozitës. Basha ka renditur të gjitha rrethanat dhe faktorët në favor të mazhorancës qeverisëse.