TIRANE-Një vendim i Këshillit të Ministrave zgjidh përfundimisht problemin e rreth 30 mijë familjeve që nuk marrin dot certifikatat e pronësisë, edhe pse i kanë blerë apartamentet prej vitesh.
Pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se tashmë këto familje do pajisen me certifikata pronësie, ndërkohë që shteti do mbledhë të gjitha detyrimet nga firmat ndërtuese.
Janë rreth 26 mijë deri në 30 mijë familje të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës. Qytetarët nuk janë pajisur kurrë me hipoteka për apartamentet e blera për shkak të neglizhencës së pronarit të firmës së ndërtimit, apo për shkak të gjyqeve që shpesh firmat e ndërtimit kanë me pronarët e tokës.