Administrata tatimore ka njoftuar të gjithë bizneset se mund të bëjnë në rrugë elektronike dorëzimin e inventarëve për vitin që sapo u mbyll.
Afati i fundit i dorëzimit të inventarëve është data 10 janar. Në faqen e saj zyrtare, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka pasqyruar hapat që duhet të ndjeke një biznes për të kryer deklarimin.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë publike faqen e re zyrtare, me kalendaret përkatëse të shlyerjes së detyrimeve për të gjitha kategoritë e tatimpaguesve.
Deklarimi vjetor i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për bizneset e vogla, duhet të bëhet jo më vonë se data 10 shkurt, ndërsa për bizneset e mëdha, jo më vonë se 31 mars.
Këstet 3-mujore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të biznesit të vogël, brenda datës 20 prill, për tremujorin e parë; brenda datës 20 korrik, për tremujorin e dytë; brenda datës 20 tetor, për tremujorin e tretë; dhe brenda datës 20 dhjetor, për të katërtin.