Nuk do të ketë kufizime kohore për rihapjen e dosjeve të krimeve të rënda të tranzicionit shqiptar, disa prej të cilave janë veshur me një mjegull misteri dhe me hetime gjysmake, për shkak të përfshirjes, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të segmenteve të politikës.
Reforma në Drejtësi, përpos të tjerave, për herë të parë parashikon zgjerimin e veprave penale, të cilat nuk do t?i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale, pra shuarjes së ndjekjes penale, kur kalon një periudhë e caktuar.
Ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë 15 vepra të rënda penale, përgjegjësit për të cilat nuk do t?i shpëtojnë kurrë drejtësisë, pavarësisht nëse nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur, mund të kenë kaluar disa dekada.
Në paketën e ndryshimeve bie në sy përfshirja e veprës penale të vrasjes së deputetit dhe e funksionarëve të tjerë shtetëror, vepër e cila përjashtohet nga parashkrimi. Ndryshimi në fjalë i hap rrugë Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme që të rihapë në çdo kohë dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, e konsideruar si vrasja e shekulli. Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, i dënuar nga drejtësia shqiptare, ka shprehur gatishmërinë për të dëshmuar para drejtësisë së re, për prapaskenat dhe njerëzit e politikës, të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit.