Kryeministri Edi Rama shkarkon Elvis Roshin

2017-02-26 1

Menjëherë pas vendimit të KQZ-së, kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi. Kryeministria i tha Tv Klan se ai duhet të priste vendimin e KQZ-së për të hedhur këtë hap.

Vetë Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi nuk ndodhej në zyrë në momentin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Tiranë vendosi të ndërpresë mandatin e tij.

Nga Bashkia e Kavajës nuk kishte asnjë koment për këtë çështje. I kontaktuar nga gazetarët e Tv Klan Rroshi tha se do të shprehet në një moment tjetër për vendimin e marrë.

Edhe deputeti i LSI-së Shkëlqim Selami tha se nuk kishte asnjë koment për vendimin e KQZ-së, e cila sipas tij duhet ta shihte çështjen në themel. Selami shtoi se do ta ankimojë vendimin në gjykatë sipas ligjit pasi e konsideron të marrë të pabazuar në prova.

Ndërsa, deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri, pjesë e opozitës i bëri komentet e tij në rrjetet sociale. Ai shkroi se mazhoranca në KQZ nuk respektoi ligjin por mori një vendim politik për të dëmtuar atë dhe opozitën si dhe për të vendosur barazpesha të papranueshme në këtë proces. Tahiri e sfidon KQZ-në të gjejë një element të vlefshëm që rrëzon mandatin e tij duke shtuar se çështjen do ta ndjekë në gjykatë.

Sipas ligjit për dy deputetët e Vlorës do të nisin menjëherë procedura e zëvendësimit me emrat pasues në listat partiake. Vendin e Shkëlqim Selamit të LSI-së e merr Flamur Çelaj, aktualisht drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, por ai mund të lëshojë vendin për Katina Goga për shkak se ligji i jep përparësi gjinisë femërore. Ndërsa Dashamir Tahiri i PDIU, do ti lërë mandatin Edmond Zejnos. 2 deputetët mund ta ankimojnë vendimin e KQZ në Gjykatën Administrative e cila vendos përfundimisht. Ndërsa për Bashkinë e Kavajës ligji parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme vetëm nëse Elvis Rroshi nuk e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Tv Klan

Free Traffic Exchange