Vazhdon greva e urisë ndaj kompanisë “Bankers”

2017-02-26 3

Që prej të mërkurës në mbrëmje, 10 banorë të fshatit Zharrëz në Fier kanë nisur grevën e urisë. Ata thonë se nuk do të tërhiqen derisa kompania Bankers Petrolium të ndalojë kërkimin dhe prodhimin e naftës në këtë zonë, si pasojë e të cilave atyre u rrezikohet jeta.

Banorët akuzojnë koncesionarin e naftës se, si pasojë e operacioneve të kërkimit, ka dëmtuar 117 shtëpi. Një pjesë e tyre sërish kanë dalë në protestë.
Ministria e Energjisë ka ngritur një grup pune për të bërë matjet e për të arritur në një konkluzion se kush i shkakton tërmetet në Zharrëz.

Përmes kësaj letre, ajo i kërkon Shtabit të Emergjencave Civile marrjen e masave për banorët e fshatit, në mënyrë që të normalizohet situata.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, drejtues të Ministrisë thonë se kanë urdhëruar ndërprerjen e operacioneve të injektimit të ujit në vendburimin e naftës që ndodhet në Zharrëz.

Nëse përgjegjëse për tërmetet do të rezultojë kompania Bankers, atëherë situata do të zgjidhet me evakuimin përfundimtar të banorëve, ose në mbylljen e operacioneve të kërkimit në puset afër kësaj zone.

Në një letër drejtuar qeverisë, Bankers mohon që te jetë shkaktare e lëkundjeve dhe shprehet se ato janë aktivitete sizmikie natyrore.

Tv Klan

Free Traffic Exchange