Prokuroria e Krujës do të kërkojë nga Gjykata të lërë në burg 8 personat e arrestuar 3 ditë më parë të konsideruar si ?grupi i Niklës?, të akuzuar për një sërë veprash si ?vrasje me paramendim?, e mbetur në tentativë, ?Shkatërrim prone me eksploziv, ?Vjedhje me dhunë?, ?Armëmbajtje pa leje? dhe ?Prodhim e shitje lëndësh narkotike?.
Prokuroria zbulon edhe detaje nga hetimet për këtë grup. Gjithçka nisi pas atentatit me eksploziv ndaj Gentian Bejtes në 19 shtator të këtij viti. Si autorë të dyshuar për këtë ngjarje ishin Oltion Caca dhe Edison Pula. Kur ata po mbaheshin nën vëzhgim, u vu re se ishin aktivë në trafikun e lëndëve narkotike.
Në dhjetor të një viti më parë Caca dhe Pula vendosën të grabisnin një furgon së bashku me Marklen Hakën dhe Muharrem Shetën, kishin planifikuar të grabisnin një furgon, i cili transportonte kanabis. Për të realizuar grabitjen vodhën makinën e një taksisti në Kamëz në 6 dhjetor.
Po atë mbrëmje i kanë zënë pritë një furgoni që transportonte një sasi të konsiderueshme kanabisi të cilin e kanë fshehur në Nikël.
Në 19 dhjetor policia nxori urdhër-ndalimet për Oltion Cacën, Edison Pulën dhe Edison Bamin. Po atë ditë policia ndaloi Klaudio Ismalajan, por vuri re se ai ndiqej nga Oltion Caca me një makinë tip fuoristradë.
Ai e braktisi makinën gjatë ndjekjes së policisë dhe brenda saj u gjet 110 kg kanabis që dyshohet se ishte siguruar në Tepelenë për tu dërguar në Fushë-Krujë.
Të përfshirë në këtë aktivitete u ndaluan edhe Arbër Rryçi, Muharrem Sheta, Ilir Caca, Fadjol Anamali dhe Arjan Ademi. Mbeten në arrati Oltion Caca dhe Edison Pula, i cili arriti të arratisej nga Komisariati i Krujës pak orë pas ndalimit të tij./ TV KLAN