Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë ushqimore për festat e fundvitit, si dhe për mbajtjen nën kontroll të çmimeve. Ashtu si vitin e shkuar, në Baldushk është ngritur tregu i gjësë së gjallë, ku prej disa ditësh tregtohet gjeli i detit i zonës. Gjatë vizitës së tij në këtë treg, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tregu funksionon brenda standardeve të higjienës dhe është kthyer në furnizuesin kryesor të gjelit të detit për familjet e Tiranës në darkën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte të zonës, të cilat mandej kontribuojnë në rritjen e ekonomisë lokale.
?Thirrja jonë është shumë e thjeshtë: nëse promovojmë ekonomi lokale, nëse paratë qarkullojnë brenda vendit, nëse ndihmojmë fermerët që merren gjithë vitin me këtë punë, besoj se kemi bërë gjestin më të madh patriotik që mund të bëjë dikush. Nuk ka gjest më të madh se të kontribuosh financiarisht që bashkëqytetarët e tu të kenë një cilësi jete më të mirë?, tha Veliaj.