Report TV - Vlorë, kapen 1.2 ton kanabis gati për trafik, destinacion Italia

2017-02-25 1

VLORE- Policia kufitare ka sekuestruar mbi 1.2 ton kanabis në një operacion të zhvilluar gjatë natës së mbrëmshme në Zvërnec në plazhin mes Petroliferës dhe Triportit.

Sipas policisë lokale rreth orës 03:00 në zonën e Petrolifrës në një kamionçinë 'IVECO' me targë AH 117 AB u gjetën dhe u sekuestruan 1240 kg lëndë narkotike, kanabis të ndara në 116 paketime dhe të mbështjella me qese plastike dhe natriban.

Në afërsi të kamionçinës policia ka konstatuar një automjet fuoristradë 'Toyota' me targë CA 4816 BY ndërsa në det është parë një mjet lundrues gomone, duke lëvizur brenda gjirit të Vlorës, i cili dyshohet se kishte për qëllim trafikimin e kanabisit drejt Italisë.

Nga kontrolli i ushtruar në pyllin e kësaj zone, është konstatuar një karel-transportues mjetesh lundruese dhe rreth 100 m larg tij është gjetur i braktisur një automjet tjetër, 'Land Rover' me targë AA 889 FI.

Dy fuoristradat 'Toyota' dhe 'Land Rover' pasi kanë konstatuar ndjekjen policore janë braktisur dhe autorët janë fshehur në pyll.

Delta Forcë dhe policia lokale vazhdojnë kontrollin nga toka për kapjen e autorëve, por edhe nga deti për të lokalizuar gomonen dhe arrestuar skafistin.