Krerët e Policisë së Shtetit ndër vite u mblodhën në një ceremoni të veçantë këtë të martë në Ministrinë e Brendshme, ndërsa pranë murit të kujtesës ata përkujtuan të gjithë ish - krerët e policisë, të cilët nuk jetojnë më, si dhe të gjithë efektivët e rënë në krye të detyrës.
Kasem Kaçi është ish - kreu i Policisë së Shtetit më jetëgjatë, i cili ka drejtuar uniformat blu që nga vitet ?60 deri në mesin e viteve ?80. Prej vitesh, ai jeton në SHBA, ndërsa kishte ardhur në Shqipëri posaçërisht për këtë ceremoni. I pranishëm ishte edhe ish - kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, si dhe ish - drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit.
"Unë jam i bindur që kjo Polici që sot është e pajisur me të gjitha mjetet teknike-shkencore dhe aftësitë profesionale do të përballojë me sukses të gjitha situatat që do paraqiten përpara. Nuk ka nevojë që Policia Shqiptare të merret nga dikush për dore. Jo. Sot ajo është bërë e fortë, profesionale, e vullnetshme. Me shpirt e me zemër punojnë për të siguruar rendin dhe qetësinë publike. Shumë faleminderit".
Ministri Tahiri tha se 90 - vjetori i Policisë së Shtetit është një rast për të respektuar dhe nderuar kontributin e të gjithë atyre që kanë drejtuar dhe punuar në Policinë e Shtetit ndër vite.
"Ky ishte një rast për mua dhe për të gjithë ne, për të gjithë punonjësit e Policisë sot, për të nderuar kontributin e të gjithë atyre që kanë drejtuar apo punuar në Policinë e Shtetit në të gjithë këto vite. Pra plejadën e nderuar të të gjithë atyre që kanë sakrifikuar, punuar me vetëmohim për të bërë Shqipërinë që sot ne jetojmë".
Tv Klan