Komisioni i ekonomisë ka vendosur të shtyjë ligjin e lojërave të fatit edhe me dy vite, pas kërkesës së 5 deputetëve: Ervin Bushati, Blerina Gjylameti, Ervin Koçi të cilët janë pjesë e grupit socialist dhe dy të tjerëve të LSI: Luan Duzha dhe Ylli Shehu.
Ligji i cili synonte të mbyllte të gjitha kazinotë nëpër qytete, e t?i zhvendoste ato në zona turistike, u shty me argumentin kryesor se nuk kanë qenë gati aktet nënligjore. Por Ministri i Financave Arben Ahmetaj, u premtoi deputetëve se aktet do të jenë gati në 31 janar të vitit që vjen.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë tha se do ta ndiqte vetë këtë çështje, dhe kërkoi ndjesë që nuk ishte marrë deri më sot.
Kjo është një kohë rekord në Shqipëri, ku ligji i miratuar para dy vitesh nuk hyn në fuqi se nuk janë gati udhëzimet, dhe shtyhet me dy vite për të bërë gati udhëzimet. Nga ana tjetër edhe pse Ministria e Financave premton se do të sjellë aktet për 1 muaj, deputetët votojnë për ta shtyrë me dy vite. Për katër vjet Shqipëria mund të kishte bërë 4 kushtetuta dhe dy reforma në drejtësi, por me sa duket peshën më të madhe se këto për të zgjedhurit nga populli e kanë interesat ekonomikë të lojërave të fatit.
Tv Klan