Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, iu përgjigj kritikave në adresë të tij për qëndrimet e mbajtura lidhur me çështjen çame, gjatë takimeve të tij me zyrtarë të qeverisë greke, në Athinë.
Meta theksoi se në të gjitha bisedimet e tij ka kërkuar dialog dhe zgjidhje konstruktive për çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Ndërsa duke iu referuar debateve në politikën shqiptare, Meta theksoi se çështja çame po tentohet të kthehet në çështje të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme, duke shigjetur kështu indirekt PDIU-në.
"Të hiqet dorë nga përpjekjet për të kthyer çështje të tilla në çështje të fushatës së ardhshme elektorale. S'kam ndërmend ta bëjë këtë gjë, se më duket krejtësisht e padobishme. Për shqiptarët e çamërisë, që jeton këtu e kudo jetojnë, më e rëndësishme është rivendojsa e këtyre të drjtave që janë të drejta themelore të njeriut", u shpreh Meta.
Ai sqaroi se nuk e ka cilësuar çështjen çame si çështje që i përket së kaluarës, pasi siç theksoi Meta, ajo është një plagë që duhet kuruar me kujdes. Kreu i Kuvendit theksoi se janë spekulime pretendimet se ai ka qëndrime të kundërta me ministrin e Punëve të Jashtme, përsa i përket çështjes në fjalë.