Udhëtimi me helikopter nga Tirana zgjat më pak se 30 minuta ndërsa panoramës së ashpër mes grykës së Poçemit nuk i mungon gjelbërimi.
Sapo ulemi në pistën e improvizuar të helikopterit kontakti i parë është me forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe drejtorisë së policisë Vlorë të cilat në këtë aksion janë 200 trupa.
Report Tv ka udhëtuar me uniformat blu në Malësinë e Mallakastrës aty ku në grykën e Poçemit nga Guardia Di Finanza janë pikasur 10 plantacione droge dhe është vendosur të asgjësohen.
Për drejtorin e policisë Altin Qato ky është një operacion i cili po kryhet njëkohësisht në 6 qarqe të vendit dhe deri më 30 gusht bimët e asgjësuara në rang vendi i kalojnë 1.5 milion rrënjë kanabis.
Shpesh operacionet e policisë shoqërohen vetëm me asgjësim parcelash me kanabis dhe shumë radhë arrestohen persona të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, por këtë herë kultivuesit janë kapur në flagrancë.