Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh sot se grupi parlamentar demokrat mbështet unanimisht draftin e reformës në drejtësi, por duke adoptuar të plotë rekomandimin nr.88 të Komisionit të Venecias.
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, Basha tha se PD është e gatshme ta votojë që sot draftin e reformës, nëse ka dakordësi për kërkesat e opozitës. Në të kundërt, paralajmëroi Basha, PD nuk do ta votojë projektin e reformës.
"PD ka një dhe vetëm një kërkesë. Që në fakt është zotimi im dhe i Edi Ramës në Bruksel e Uashington, zbatim i plotë i rekomandimit të 88 të Komisionit të Venecias. S'kemi asnjë kërkesë e asnjë kusht, por zbatimin e plotë të rekomandimit final. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati ta miratojmë që tani draftin kushtetues. Nëse pala tjetër nuk bie dakord, tungjatjeta, miruparfshim", u shpreh Basha.