Report TV - Dekriminalizimi, Peza: PD të largojë Nokën, Ristanin e Zenelin

2017-02-21 0

Partia Socialiste vazhdon t?i kërkojë Partisë Demokratike të mos pengojë procesin e dekriminalizimit, duke mbrojtur deputetët e saj. Deputeti socialist Alfred Peza kërkon të veprohet mbi ish-ministrin e brendshëm Falmur Noka , deputetin Alban Zeneli dhe Arben Ristanin, numërin dy të Partisë Demokratike.

Deklaratë për media e deputetit, njëkohësisht Sekretar për Organizimin Dixhital në PS, Alfred Peza:

Që ligji i dekriminalizimit të japë efektet e tij të plota, është radha e Partisë Demokratike të veprojë. Sepse të gjithë kanë patur rastin që ta shohin, se është kjo parti që po e pengon procesin e dekriminalizimit, duke mbrojtur deputetët dhe të zgjedhurit e tjerë të vet, subjekte të këtij ligji.

Dekriminalizimi është një proces i pandalshëm për pastrimin e skenës politike shqiptare, që nuk bëhet me fjalë, por me vepra.

Ndaj, e ftojmë Partinë Demokratike që të gjejë kurajon për të shkuar përtej propogandës, retorikës boshe dhe fjalëve në erë.

Ish ministri i Brendshëm Flamur Noka akuzohet si spiun i shërbimeve sekrete serbe. Ai ka qenë i ndaluar dhe ka gënjyer në formularin që ka plotësuar vetë për dekriminalizimin.

Partia Demokratike duhet të veprojë menjëherë, pasi të gënjesh nëpërmjet formularit, përbën vepër penale që dënohet nga ligji.

Në të njëjtën mënyrë duhet të veprohet për Alban Zenelin, deputetin e dënuar me burg por edhe për Arben Ristanin, numrin dy të Partisë Demokratike i dënuar gjithashtu me burg.

Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të përfshihet në hetimin e Flamur Nokës, Arben Ristanit, Alban Zenelit e të çdokujt tjetër që përfaqëson këtë parti dhe që ka probleme me dekriminalizimin.

Partia Demokratike nuk mund të pretendojë se ka ndonjë meritë në rastin e dorëheqjes së ish- Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Sepse, ai u dorëhoq pasi u njoh vetë me të vërtetën.

Ndërsa ne si familje politike, theksuam se respektojmë veç ligjin dhe se përpara ligjit, askush nuk është më i rëndësishëm.

Free Traffic Exchange