Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të takohen të hënën në orën 17:00 në Pallatin e Kongreseve. Fillimisht, Kryeministria kërkoi që takimi të zhvillohej ditën e enjte në të njëjtën orë, por përgjigja e kryedemokratit Basha ishte se ka ende kohë për një takim të tillë. Gjithashtu, ai sqaroi se PD nuk ka modalitet për këtë takim.
Në qendër të këtij takimi do të jetë reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore. Ndërkohë disa ditë më parë për Report TV, deputetja Jozefina Topalli kërkoi që në këtë takim të marri pjesë edhe kreu i LSI-së Ilir Meta.
Sipas saj, përfshirja e LSI-së do të sillte një konsensus më të gjerë për këto dy çështje që prej kohësh ndajnë palët politike.