Këshilli i Lartë i Drejtësisë konfirmohet edhe një herë si mburojë e qindra praktikave abuzive të gjyqtarëve, në dy shkallët e para të gjyqësorit. Justifikimet dhe alibitë përsëriten viti pas viti, por bilanci i luftës ndaj shkeljeve dhe korrupsionit në gjyqësor, për vitin 2015, është i paprecedentë dhe sfidues për opinionin publik. Për gjatë vitit 2015, qytetarët dhe institucionet e shtetit kanë denoncuar pranë KLD 840 raste abuzimi nga ana e gjyqtarëve, duke nisur që nga zvarritja e gjyqeve, shkelja e etikës, shkelje flagrante të ligjit, shkelje të afateve, organizim i dobët i punës etj.