Eduko dhe Parandalo ka qene motoja kryesore e nje lektoriumi me studentet e Fakultetit te Infermierisë në Universitetin Fan Noli në Korçë, në kuadër të fushatës sensibilizuese për luftën kundër kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës.
Trajnim ky që u mundësua nga një program italo-shqiptar me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas Dr.Ariela Struga, lektore në këtë trajnim, parandalimi është mënyra më efikase ndaj edukimi i moshave të reja merr një rëndësi të veçantë në betejën kundër kësaj sëmundjeje.
"Eshtë një projekt i cili ndihmon dhe informon të gjitha moshat për parandilimin e sëmundjeve të kancerit sepse gjithmonë e më tepër kjo sëmundje është më e përhapur dhe mënyra më e mirë për ta luftuar është parandilimi," tha Struga.
Sipas doktoreshës të ushqyerit shëndetshëm dhe aktiviteti fizik janë faktorët kryesorë të rëndësishëm në parandalimin e kësaj sëmundjeje.
"Ushqimi është një nga faktorët kryesor në parandalimin e sëmundjeve të kancerit dhe 30 e uljes së rasteve, diagnostikimi me kancer vjen nga kequshqyerja," shpjegon doktoresha Ariela Struga.
Ky trajnim, veç qytetit të Korçës zhvillohet në disa qytete, përfshi Shkodrën dhe Elbasanin.
"Jo vetëm në Korçë, është e shpërndarë në të gjitha rrethet. Pilot në Korçë, Elbasan dhe Shkodër me qëllim që ato të dinë dhe të edukohen gjithmonë e më tepër," tha ajo.
Trajnimi për parandalimin e kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës që zgjati përreth një orë, u ndoq nga qindra studentë të Fakultetit të Infiermierisë. Ra në sy edhe pjesëmarrja e një numri të lartë studentësh djem, që shprehën hapur dëshirën për të marrë informacion të bollshëm rreth parandalimit të sëmundjes së kancerit.