http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një letër e Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve për të rritur pagën minimale në 23 mijë lekë ka sjellë përplasje mes grupeve të biznesit. Arben Peçi, kryetar i kësaj shoqate e shpjegon letrën dërguar qeverisë me informalitetin e madh që ekziston në këtë sektor dhe rritjen e kontributeve që punëmarrësi duhet të derdhë për punonjësin. Sipas tij ka vite që paga reale në këtë sektor është më e lartë se 22 mijë lekë. Por për Dhomën e Fasonëve kjo është kërkesa më e çuditshme që është bërë ndonjëherë në këto vite. Gjergji Gjika thotë se nëse vullneti i biznesit është që të sigurojë punonjësit me pagë më të lartë, mund ta bëjë vetë pa përdorur vendime të qeverisë. Rritja e pagës minimale sjell automatikisht rritje të barrës së taksave që biznesi derdh në buxhet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Afro 80% e kostove të fasonëve janë vetëm paga për punëtorët. Përplasje ka patur edhe mes anëtarëve të bordit të dhomës së prodhimit të veshjeve, ku një pjesë nuk kanë qenë dakord për këtë letër. Megjithatë në thelb rritja e pagës minimale është një lajm i mirë për punonjësit, por asnjëherë kjo kërkesë nuk është bërë nga grupe të biznesit.