TIRANË- Një grabitje me dhunë nga persona të maskuar dhe armatosur ka ndodhur rreth orës 16.10 në Rrugën "Dervish Hima" në dalje të hotel Sheraton në Tiranë.
Nga informacionet e para mësohet se kanë qenë tre persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur që u kanë grabitur një shumë prej 180 mijë $ dy personave, njëri prej të cileve sipas policisë është eshte shtetasi me inicialet S.H, i cili rezulton të jetë punonjës i nje kompanie Exchange në kryeqytet me pronar shtetasin me inicialet R. M.
Sipas raportimeve nga gazetarët e Shqiptarja.com, mësohet se autorët e kamufluar si efektiv policie, kanë ndaluar automjetin tip ford Fokus me targa Tirane, në të cilin dy personat e grabitur po transportonin paratë nga Hotel Sheraton drejt zyrave të kompanisë.
Pasi kanë ndaluar makinën, autorët i kanë kërcënuar me armë dhe i kanë detyruar qe t'u dorëzojnë shumën e parave.
Policia konfirmon grabitjen me dhunë, por nuk jep detaje mbi shifrën e parave të grabitura, duke e cilësuar atë si shumë te konsiderueshme.
Sakaq policia po kryen veprimet e para hetimore dhe pritet sekuestrimi i kamerave të sigurisë së hotelit, nga ekspertet kriminaliste të Komisariatit numër 1 ne Tirane për të zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes si dhe autorët.
Dyshimet e policisë, janë se autorët e mundshëm të ngjarjes mund të kenë lëvizur në drejtim të Kodrave të Liqenit apo Rrugës së Elbasanit.
Sakaq policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje dy personat e grabitur.