Report TV - Balla: Vendimi për Mziun i turpshëm S'pritej drejtësi nga gruaja e Hajdarit

2017-02-21 0

Vendimi i Byrosë së Kuvendit për ta përjashtuar ish-kryeministrin Berisha nga veprimtaria e parlamentit për 10 ditë, pas thirrjeve për armatosje të popullit në seancën plenare të së enjtes, ishte dënimi maksimal që mund të jepej.

Kështu ka deklaruar në emisionin "45 minuta" të Denis Mingës në Report Tv, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. Teksa e quajti rast të paprecedentë deklaratën e bujshme të Berishës, Balla tha se ndoshta ka ardhur momenti që rregullorja e Kuvendit të ndryshojë.

Balla insistoi që në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me shkelje të rregullores së Kuvendit por edhe me vepër penale. "Unë mund të quhem deputet i vjetër dhe e njoh mirë rregulloren. Ky është ndëshkimi më i ashpër disiplinor. Ndoshta është koha për të pasur ndëshkime më të rrepta. Por prej momentit të parë kam deklaruar se kjo nuk i përket vetëm kuvendit por prokurorisë e cila duhet të lëviz se këtu kemi shkelje të kodit penal. Neni 222 flet për thirrje për armatosje. Neni 223 flet për thirrjet për dhunë. Nuk thotë as Kushtetua dhe as Kodi Penal, për më pak rregullorja e kuvendit që deputeti nuk mban përgjegjësi kur bën thirrje apo vepron në kundërshtim me Kodin Penal, të mos ndëshkohet se e ka kryer në veprimtarinë e tij parlamentare," tha Balla duke shtuar se veprimi i Berishës mund të justifikohej vetëm me një raport psiqik.

Balla po ashtu e quajti akt të turpshëm vendimin e Gjykatës së Apelit për pafajësinë e kreut të Bashkisë se Kamzës, Xhelal Mziu, duke shtuar se nuk pritej drejtësi nga gruaja e Azem Hajdarit.

"A ka shqiptarë që mund ta besojë pavarësisht se gruaja e Azem Hajdarit mund të jepte vendim defavorizues për liderin e ri në ngritje të Shqupit. Ka njeri që e dyshon këtë? Është një këmbanë alarmi që bie në dyert e gjykatave për nevojën e tmerrshme që ka sistemi për t'u reformuar," shtoi Balla. Sipas tij, do të ishte e pafalshme nëse prokuroria nuk do ta apelojë vendimin e Gjykatës së Apelit në Gjykatë të lartë.

"Është rasti t'i kujtoj prokurorisë që do ishte e pafalshme nëse nuk e apelon vendimin për Mziun në Gjykatën e Lartë. Meqënëse gjykata e Shkallës së Parë ka dhënë një vendim për fajësi, Apeli për pafajësi le ta gjykojë Gjykata e Lartë, shpresoj të jetë bërë deri atë herë dhe reforma," deklaroi ai. Sa i përket reformës në drejtësi Balla tha se ajo do të bëhet me çdo çmim. Balla i eshte pergjigjur edhe akuzave te presidentit Nishani per lidhje te disa oficereve te policise me krimin duke theksuar se Nishani eshte i pabesueshem.