Ahmetaj: Ekonomia po rritet - News, Lajme - Vizion Plus

2017-02-21 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në një takim me gazetarë dhe deputetë të Komisionit të Ekonomisë, ministri i financave Arben Ahmetaj përsëriti dhe njëherë se ekonomia është në një trend pozitiv, pavarësisht tendencës rënëse të inflacionit. Duke marrë në analizë një për një të gjithë treguesit, Ahmetaj tha se importet dhe eksportet janë në rënie për shkak të krizës së tregjeve globale dhe jo për faj të politikave të qeverisë. Ministri premtoi se këtë vit Shqipëria do të mbajë nivelin 3.4% të rritjes ekonomike, ndërsa tha se rënia e konsumit nuk ka si shkak pakësimin e të ardhurave në xhepat e qytetarëve, por rritjen e tendencës drejt kursimit. Për këtë, ai bëri përgjegjëse mediat. Raporti i fundit i Bankës Botërore që ul parashikimin për rritjen ekonomike, anketa e Dhomës Gjermane të Tregtisë, e cila kishte përkeqësuar 10 tregues të klimës së biznesit në Shqipëri, që nga taksat e larta e deri te mënyra se si sillen tatimorët me ta, për ministrin e financave kishin shumë anë të mira. Arben Ahmetaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos dëgjojnë programin politik të opozitës me taksën e sheshtë 9% mbi pagat, pasi kjo është vjedhje për xhepat e shtresës së mesme. Përmes një konference që zgjati afro dy orë, ministri tha se investimet e huaja janë në rritje, se qeveria ka shpenzuar me shumë para për punët publike se ajo e demokratëve dhe se vendi ynë është i dyti në rajon pas Malit të Zi për hapjen e bizneseve nga të huajt. Ahmetaj tha se është bërë shumë, por se ai ende nuk ishte i kënaqur. Ai e krahasoi situatën ekonomike qe gjeti kabineti Rama, me vitin 1997.