Report TV - Byroja përjashton 5 ditë Braçen nga Kuvendi, vërejtje Berishës

2017-02-21 0

TIRANË- 3 deputetë të Partisë Demokratike dhe një i Partisë Socialiste nuk do të jenë të pranishëm në seancën e nesërme në parlament.

Kjo pasi byroja e Kuvendit, në mbledhjen e sotme vendosi masën disiplinore të pezullimit me 5 ditë nga Kuvendi të deputetëve Edi Paloka, Arben Ristani dhe Roland Keta nga PD dhe Erion Braçe nga PS.

Byroja e Kuvendit u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e PD, e cila kërkoi pezullimin me 10 ditë të deputetit Erion Braçe, pas debatit me ish kryeministrin Sali Berisha.

Ky i fundit do të jetë nesër në parlament, pasi ndaj tij Byroja dha vetëm masën disiplinore "vërejtje".

Menjëherë pas vendimit të Byrosë, deputeti Erion Braçe e quajti të padrejtë vendimin, pasi sipas tij të fyerit dënohen dhe ata që fyejnë jo.

"Mbas 25 vitesh parlament pluralist, e 20 viteve të mia në parlament ndodh se ai që fyen, ai që shan, ai që sulmon, që dhunon, që prish seancat që vret në fund fare, politikisht dhe fizikisht falet përsëri dhe të tjerët dënohen. Kjo është historia për fat të keq e këtij parlamenti në ditët e sotme," tha Braçe i tensionuar.