Kisha Katolike shprehet dakord në parim për lëndët fetare ne shkolla por thekson se duhet shumë kujdes me zbatimin e saj.
Ipeshkvi i Kishës Katolike Monsinjor George Frendo në një intervistë për emisionin "Rreze Dielli" zbulon dhe faktin se para një muaji e gjysmë janë takuar me Ministren e Arsimit për këtë çështje me dy kërkesa, mësuesit të jenë të mirë përgatitur dhe tekstet të hartohen në bashkëpunimin me komunitetet fetare.
"Para një muaj ose një muaj e gjysmë ne kemi zhvilluar një takim me Ministren e Arsimit. Kjo u prit si diçka pozitive. Por ajo që mbete është se duhet të kemi shumë kujdes për mënyrën sesi do të zhvillohet ky vendim. Unë ende nuk jam në dijeni se çfarë ka thënë Kryeministri, por kam qenë në takim me ministren Nikolla ku ishin edhe përfaqësuesit e besimeve të tjera. Duhet të shohim me shumë kujdes se si do të zbatohet", u shpreh ai.
Përfshirja e lëndëve fetare në shkollat publike, për Imzot George Frendo nuk e cenon laicitetin e shtetit. Sipas tij, mësimi i fesë do të bëhet nga mësues të përgatitur, ndërsa tekstet do të hartohen në bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe komuniteteve fetare.
"Laicitet nuk do të thotë ateizëm. Do të thotë se shteti nuk është i përfshirë në asnjë besim të caktuar. Edhe Papa Piu para shumë vitesh ka folur për laicitetin e shtetit. Më kujtohet në vitin 2003-ë, kur në Tiranë u organizua një simpozium ndërkombëtare për mësimin e fesë në shkolla. Çdo njeri ka lirinë për të besuar ose jo. Unë kam patur mundësinë të jap një kurs në Shqipëri, për vlerat familjare dhe shoqërore. Besimi është diçka që duhet të ndikojë shumë në jetën e shoqërisë. Sepse besimet janë për bashkim, dashuri, drejtësi, vëllazëri. Vërtetë ndonjëherë besimet kanë qenë të manipuluar dhe ende manipulohen si sot ISIS-i. Kjo nuk është besim, por një karikaturë besimi. Prandaj, duhet të futet në arsimin shkollor mësimi i fesë. Kemi kërkuar që mësuesi të jetë i përgatitur për të dhënë një lëndë fetare në shkollë. Të mësojë se çfarë është besimi, cili është roli i besimit, si ndikon besimi në jetën familjare. Kemi kërkuar që tekstet të bëhen në bashkëpunimin tonë", theksoi ai.