Report TV - Malësi e Madhe, Helikopteri i FA bie në Liqen, 2 të vdekur

2017-02-21 0

Një helikopter i Forcave të Armatosura është rrëzuar këtë mërkurë rreth orës 14.00 në ujërat e Liqenit të Shkodrës, pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe.

Në bordin e helikopterit kanë qenë 3 ushtarakë, ku 2 prej të cilëve kanë humbur jetën. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, viktimat janë kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha.

Trupat e tyre janë nxjerrë nga Liqeni nga polumbarët e RENEA-s dhe janë përcjellë për në morgun e Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Nga ky aksident ka mbetur i plagosur ushtari profesionist, Gerald Baramuça, i cili ka mundur të shpëtojë. Atij i është dhënë ndihma e parë nga banorët dhe peshkatarët e zonës, të cilët e kanë transportuar menjëherë për në spitalin rajonal të Shkodrës.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë si FNSH-ja dhe RENEA, zjarrfikëset si dhe autoambulancat, mbërritën në vendngjarje për të bërë të mundur
nxjerrjen e trupave të pajetë nga helikopteri.

Gjithashtu, nga Tirana u nis një helikopter kërkim shpëtimi, i Forcave të Armatosura.

Korrespondenti i Shqiptarja.com, Elvis Nabolli i cili raportoi nga vendngjarja, deklaroi se në bregun e Liqenit të Shkodrës gjenden disa mbetje të helikopterit.

Në vendin e rrëzimit të helikopterit ka qenë edhe një varkë peshkimi me disa peshkatarë.

Ata kanë deklaruar se fillimisht kanë dëgjuar një zhurmë shpërthimi në bordin e helikopterit kur ai ndodhej në ajër, ndërsa më pas, pas disa avarive, ka rënë në Liqenin e Shkodrës.

Po sipas dëshmive të tyre, në momentin e rrëzimit janë dëgjuar edhe thirrjet për ndihmë të pjesëtarëve të bordit.

Ata kanë mundur të nxjerrin nga uji vetëm një nga pjesëtarët e bordit, ushtarin profesionit Gerald Baramuça, i cili edhe pse me plagë në trup kishte dalë nga helikopteri.

Ndërsa për dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit, ka qenë e pamundur nxjerrja, deri kur kanë mbërritur forcat e policisë dhe zjarrfikëset.

Free Traffic Exchange