Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot në qytetin e Fierit, ku është njohur nga afër me shqetësimet e qytetarëve dhe tregtarëve fierakë.
Por pavarësisht gjendjes ekonomike në të cilën ato ndodhen, Basha ka inkurajuar qytetarët që të mos shohin si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria. Sipas tij, alternativa që ata duhet të përqafojnë është ajo e Partisë Demokratike që synon uljen e taksave dhe nxjerrjen e vendit nga kriza.
?Unë nuk kam ardhur vetëm të pyes se si është gjendja, sepse si është gjendja e shohim ditë për ditë. Por kam ardhur t?ju them qytetarëve të Fierit e prej Fierit mbarë Shqipërisë se largimi nga Shqipëria apo rënia në dëshpërim nuk janë rruga e vetme. Ka një shpresë dhe një rrugë tjetër të cilën mund ta përshkojmë të gjithë së bashku dhe kjo është rruga e uljes së taksave, e uljes së faturave të energjisë me qëllim që qytetarët të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre. Kjo është rruga e rritjes së investimeve publike, e një portofoli të madh të investimeve publike anembanë vendit që do të krijojë më shumë vende pune dhe vende pune me paga më të mira,? u ka thënë Basha qytetarëve fierakë.
Këta të fundit i thanë kreut të opozitës se ndodhen në një gjendje shumë të vështirë ekonomike. Tregtarët ankohen se po dalin me humbje nga taksat e larta që u duhet të paguajnë.