Report TV - CIA: Rrezikohet programi i FMN në Shqipëri, s'po mblidhen të ardhurat

2017-02-21 2

Programi i Fondit Monetar në Shqipëri mund të jetë në rrezik për shkak se Qeveria nuk ka arritur të grumbullojë të ardhurat e duhura nga taksat e tatimet për të ulur defiçitin buxhetor.

Alarmi kësaj here vjen nga CIA, e cila ka analizuar në faqen e vet zyrtare të dhënat për vitin 2015 për ekonominë shqiptare si dhe zhvillimet kryesore në vend në sektorë si energjitika, transportet apo industria.

?Qeveria është fokusuar në lehtësimin e procedurave të licensimit si dhe ato fiskale, ndërkohë që ka nënshkruar një marrëveshje të re me FMN për mbështetje të reja financiare e teknike. Por programi i FMN mund të gjendet në rrezik, gjithsesi, pasi qeveria nuk ka arritur të mbledhë nga taksat sasinë e duhur të parave për të reduktuar defiçitin buxhetor. Vendi vazhdon të përballet me rritjen e borxhit publik, i cili tashmë ka tejkaluar kufirin e dikurshëm ligjor prej 60% në 2013 dhe duke arritur në 73% në 2015?, thekson CIA në analizën e saj.

Në dokument theksohet gjithashtu se pavarësisht rritjes gjatë viteve të fundit, Shqipëria mbetet një prej shteteve më të varfra në Evropë. Pengesë janë informaliteti masiv në ekonomi si dhe infrastruktura e dobët energjitike dhe në transport.

Ndërsa analizon Produktin e Brendshëm për Bruto për frymë për vitin 2015, CIA e rendit Shqipërinë në vendin e 126 në botë, pas shteteve si Peruja, Jordania, apo Mongolia, me vetëm 11.900 dollarë në vitin 2015. Po ashtu, me normën e papunësisë prej 17.3% në vitin 2015, Shqipëria renditet e 159-ta në listën me 207 shtete, pas Mozambikut, Gjeorgjisë apo Irakut.

Ndërkaq, CIA vlerëson se Shqipëria ende rrezikohet nga kriza në Itali e Greqi. Sipas analizës, lidhjet e ngushta në sektorin bankar bashkë me remitancat nga Greqia e Italia, e bëjnë Shqipërinë të prekshme nga efektet e krizave të borxhit në këto vende.