Nishani: Të bindim BE që jemi kontribuues për t’u anëtarësuar në union

2016-12-18 7

Nga Berlini ku mori pjesë si i ftuar nderi dhe folës kryesor në Konferencën vjetore të Institutit për Diplomaci Kulturore, Presidenti Bujar Nishani e cilësoi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, një ndër projektet më madhore të shqiptarëve.

Pavarësisht sfidave me të cilat përballet Union, kreu i shtetit e vuri theksin tek vijimi me përkushtim i reformave që duhet të bëjë si Shqipëria ashtu dhe vendet e rajonit.

Bujar Nishani, President i Shqipërisë: Të gjitha vendet në rajonin tonë, përfshi edhe Shqipërinë duan të jenë pjesë e kësaj familjeje sepse ne besojmë në vlerat, principet dhe standardet që kjo familje ofron dhe demonstron, në drejtim të lirisë, funksionimit të demokracisë, prosperitetit dhe qytetërimit. ?Ne duhet tu bindim si vend aspirues në BE që politika, qytetarët e thjeshtë, të gjithë ne do të jemi kontribuues në këtë familje, jo thjesht përfitues dhe kjo çështje duhet të jetë në qendër të komunikimit, pasi kultura e komunikimit, dhe e dialogut është e vërteta e thjeshtë për të kuptuar se sa këto vende që aspirojnë të jenë pjesë e kësaj familje japin kontributin e tyre në çështjet e sigurisë, ekonomisë , kulturës dhe civilizimit.

Duke folur për progresin e bërë në 25 vitet e fundit të demokracisë, Presidenti Nishani solli për auditorin edhe dhunimin mizor që përjetoi shoqëria shqiptare për afro gjysmë shekulli nën diktaturën komuniste.

Një vëmendje të veçantë kreu iI shtetit ia kushtoi edhe bashkëjetesës dhe harmonisë mes komuniteteve fetare në Shqipëri. Zhvillimet tragjike në Siri e vende të tjera në konflikt ishin një tjetër çështje e trajtuar në konferencë nga Presidenti Nishani.

Në kuadrin e pjesëmarrjes në këtë aktivitet, kreu I shtetit u takua edhe me Drejtorin Ekzekutiv dhe themeluesin e Institutit për Diplomaci Kulturore, zotin Mark C. Donfried, si dhe anëtarët e Bordit Këshillimor të këtij instituti, të cilët i vlerësoi për kontributin që japin në këto momente shumë të veçanta, si në nivel evropian, ashtu edhe në nivel global, me eksperiencën e tyre politike dhe drejtimit të shteteve të ndryshme./ TV KLAN