Vrasja e dyshimtë e Gazmend Çollakut

2016-12-18 1

Prokuroria për Krimet e Rënda përfundon hetimet dhe dërgon dosjen për gjykim ndaj Denis Shtrazës dhe ish -oficerit të policisë, Ervin Dalipaj të akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe më pas vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës, Janarin e këtij viti. Materialet janë dorëzuar ditën e martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ish-efektivi i policisë Dalipaj vazhdon të jetë në kërkim, pasi ende nuk është arrestuar.

Gjithashtu, ata akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të paligjshme të uniformës së policisë. Ata sipas Prokurorisë kanë qenë të veshur si punonjës policie, kur rrëmbyen 36 - vjeçarin Çollaku.

Gazmend Çollaku u rrëmbye në qëndër të qytetit të Durrësit në 6 Janar. Të nesërmen ai u gjet i vdekur në fshatin Murqin të Fushë-Krujës, i ekzekutuar me dy plumba pas koke. Më parë, sipas policisë, ai ishtë keqtrajtuar nga autorët e vrasjes, pasi në trup iu gjetën shenja dhune.

Shkak për krimin, sipas Prokurorisë, është një tentativë e Çollakut për të vrarë Shtrazën në vitin 2013 dhe konfliktet mes tyre. Në dosjen e akuzës thuhet se Shtraza dhe Dalipaj janë shoqëruar ditën e ngjarjes dhe në makinën e ish-policit janë gjetur gjurmë gjaku, të njëjta me ato që u gjetën në trupin e viktimës.

Prokurorët thonë se dy të rinjtë japin versione kontradiktore për itinerarin e tyre dhe se nuk shpjegojnë të kujt janë 9 celularët e gjetur në makinë.

Burime pranë Prokurorisë sqarojnë për Televizionin Klan se në hetim për këtë dosje janë edhe dy persona të tjerë. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur. Dosja për ta është ndarë dhe hetimi do të vazhdojë.

Tv Klan