Puna parlamentare këtë të hënë filloi për të gjithë deputetët, por jo për ata të komisionit të veprimtarive prodhuese. Shkak nuk ka qenë mungesa e çështjeve për diskutim, pasi agjenda e vendosur nga konferenca e kryetarëve e ngarkon këtë komision me shqyrtimin e 14 ligjeve, ku secili prej tyre, kërkon minimalisht dy seanca. Mes listës së gjatë të punës që kanë deputetët, janë edhe dy dekretet e presidentit: ai për kthimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, dhe tjetri për anëtarësimin e detyrueshëm në dhomat e tregtisë.
Prej dy muajsh, komisioni i drejtuar nga Eduart Shalsi, nuk ka nisur shqyrtimin e dekreteve, vullnet kushtetues të Presidentit të Republikës, duke shkelur kështu edhe rregulloren e Kuvendit që parashikon shytimin brenda 8 javësh.
I kontaktuar nga televizioni Klan, Shalsi tha se nuk donte të prononcohej për këtë çështje. Rregullorja e kuvendit përcakton qartë se kryetari i kuvendit u çon komisioneve parlamentare menjëherë dekretet për tu shqyrtuar, dhe i le afat 8 javë për të bërë një raport final.
Në rastin konkret komisioni përgjegjës nuk i është përgjigjur rregullores dhe vullnetit të kryetarit të Kuvendit.
Megjithëse ka shkelur rregulloren e kuvendit, për komisionin parlamentar nuk do të ketë penalitete. Rregullorja nuk përcakton asnjë masë penalizuese për mosveprimin e deputetëve lidhur me dekretin. Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u miratua në parlament me 63 vota të PS dhe LSI, por aleati kryesor i socialistëve u ka premtuar shoqërisë civile se nuk do e votojë sërish ligjin. Mungesa e votave nga mazhoranca, duket se është shkak që dekreti i futur në kalendarin e punimeve të mos merret në shqyrtim.