Kapen 30 kg heroinë në portin e Durrësit

2016-12-10 12

Një sasi rekord heroine është kapur nga policia në Portin e Durresit, në orët e vona të mbrëmjes e djeshme.

Janë 30 kilogramë drogë, e ndarë në 52 pako.

Pamjet që shihni i përkasin pikërisht momentit, kur efektivët e policisë e gjetën lëndën narkotike pas kontrollit të kryer me skaner në vijën e dytë të portit të qytetit të Durrësit, në një kamion ?Skania?.

Heroina ishte fshehur në mjetin e drejtuar nga Aurel Kryemadhi, 45 ? vjeç nga Elbasani, i arrestuar në flagrancë nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Malli ishte paketuar dhe më pas ishte fshehur në tavanin e karrocerisë së kamionit që transportonte lëndë drusore.

Droga dyshohet se është ngarkuar në qytetin e Elbasanit, ku edhe ai është furnizuar me dru zjarri që do të eksportoheshin në Itali, nëpërmjet tragetit të linjës Durrës ? Bari.

Burime të policisë thonë se ajo do të dërgohej më pas në veri të Italisë.

Pas arrestimit të 45 ?vjeçarit, rreth orës 23.30, policia ka shoqëruar gjatë natës edhe katër persona të tjerë që dyshohet se kanë dijeni mbi rastin.

Policia dhe Prokuroria e Krimeve të rënda po hetojnë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik.

Kjo është një ndër sasitë më të mëdha të drogës të kapur prej vitesh në Shqipëri. Dy vjet më parë, në një operacion me policinë e Kosovës, u sekuestruan në kufi dhe në Mamurras, 27 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Tv Klan