Zgjedhjet në Maqedoni, a do të jenë të bashkuar shqiptarët?

2016-12-07 4

Vetëm disa ditë na ndajnë nga 11 Dhjetori, dita e zgjedhjeve në Maqedoni, ku qytetarët do të votojnë për përfaqësues në Kuvend dhe Qeveri. Por, nga atje thonë se përçarja e votës shqiptare vazdhdon të mbetet në horizont.

Duke qenë se një numër i madh partish shqiptare për një elektorat të vogël po garojnë për votë, analistë dhe njohës të politikës në Maqedoni vlerësojnë se e tërë kjo situatë mund të kontribuojë bindshëm në dobësimin e faktorit shqiptar.

Analisti Blerim Hyseni, thotë se ndarja e votës shqiptare në shumë parti do ketë kundra efekt, pasi vetë sistemi në vend është në disfavor të partive të vogla. Një votë e shkuar kot për parti të vogla, e cila nuk do rezultonte me deputet, me automatizëm hyn në konto të partive të mëdha maqedonase.

Blerim Hyseni ? Analist: ?Sistemi zgjedhor në Maqedoni nuk favorizon partitë e vogla dhe si rrjedhojë, votat e partive të vogla, ato pak vota që grumbullojnë dhe arrijnë të marrin, shkojnë në konto të partive politike maqedonase?

Ndërsa profesori universitar Ismet Jonuzi Krosi thotë se fillimi i dobësimit të votës është nga fragmentizimi i partive të mëdha, që më pas partitë e vogla të dalin me oferta megalomane, të cilat vështirë se do ta bindin votuesin.

Ismet Jonuzi Krosi ? Profesor universitar: ?Vota fragmentizohet dhe ca vota me të vërtetë do të digjen. Por ato vota që do të digjen do të jenë humbje për ne si shqiptarë për t?u përfaqësuar në parlamentin e Republikës së Maqedonisë.?

Sipas Jonuzit do të mund të humben një numër i madh deputetësh shqiptarë dhe ata do të zëvendësohen me deputetë maqedonas.

Partia shqiptare më e madhe në Maqedoni është BDI, e ndjekur nga PDSH. Në këto zgjedhje garojnë disa koalicione të vogla, si Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, si dhe PPD -ja, si partia më e vjetër e cila u rishfaq së fundi në skenën politike.

Zgjedhjet në Maqedoni, të parakohshme dhe të shtyra disa herë, pritet ta shtyjnë para vendin pas një ngërçi politik, mirëpo mbetet të shihet nëse kjo shtyrje do të jetë në favor të shqiptarëve dhe mirëqenies së tyre ekonomike, sociale e juridike, apo vota e tyre do të shpërndahet dhe nuk do të arrijnë të kenë përfaqësim të fuqishëm.

Tv Klan