Kush heq bllokuesin e gomës rrezikon burgun

2016-11-30 8

Kushdo që heq bllokuesin e rrotës të vendosur nga policia Bashkiake, tashmë rrezikon edhe burgun pasi ajo përbën vepër penale.

Sipas Nenit 277 , të kodit penal ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Por mjaft qytetarë duke kundërshtuar këtë veprim të policisë bahskiake, zgjedhin rrugën më të shkurtër për ta hequr vet bllokuesin. Sipas shefit të sektorit rrugor në policinë bashkiake, Gentian Vocaj, rreth 10 prej këtyre rasteve janë kallëzuar në prokurori.
Parkimet e gabuara apo në vendet e rezervuara kanë sjellë rreth 2 mijë gjoba në muaj të vendosura nga policia Bashkiake për sektorin rrugor.

Në bazë të nenit 157 të kodit rrugor, bllokimi i mjetit nëpërmjet rrotës bllokuese kryhet kur automjeti është parkuar në vende ku nuk lejohet qëndrimi, në ato vende parkimi të rezervuar për personat me aftësi të kufizuar apo edhe për institucione dhe subjekte tregtare.

Vlera e gjobës që një qytetar duhet të paguajë kur i është vendosur rrota bllokuesi kap vlerën e 3 mijë lekëve të rinj. / TV KLAN