Çoroditje dhe panik në sistemin e drejtësisë. Alarmi është dhënë nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndonëse për shkak të ?ngrirjes? së ligjit të Vetingut, nuk ka nisur zbatimi i asnjë prej ligjeve të tjera prioritare, miratimi i akteve bazë të reformës në drejtësi duket se ka mjaftuar për të çoroditur armatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët më shumë se sa për detyrën, po mendojnë për pozitat dhe fatin e tyre në sistem.
Gjatë mbledhjes së KLD, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka pohuar se gjyqtarët po sillen si të ishin në ditën e fundit të punës, për shkak të tranzicionit në sistemin e drejtësisë. Ministri ka theksuar gjithashtu domosdoshmërinë e zbatimit një orë e më parë të reformës në drejtësi, ndërsa ka konstatuar se situata është kaotike.