Nëse Senati Italian miraton ndryshimet në ligjin e funksionimit të kompanive ?Call Center?, 25 mijë të rinj shqiptarë rrezikojnë të humbin vendin e punës.
Dhoma e Deputetëve kaloi dy ditë më parë ndryshimet, që pengojnë kompanitë italiane të zhvendosen në shtete të tjera duke i ngarkuar taksa më të larta. Operatorët ekonomikë që krijojnë një kompani të re në një tjetër vend, janë të detyruar të tregojnë vendin e origjinës.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se nëse kjo ndodh, ekonomia jonë do të marrë një goditje të madhe.
?Goditja do të jetë e madhe, janë 25 mijë të rinj, shtresa më vunerabël e shoqërisë që do të humbin vendin e punës. Por nuk është vetëm situata ekonomike e tyre, ka të bëjë dhe me rënien e konsumit, taksat në buxhet?
Preçi bën thirrje që qeveria shqiptare të negociojë me palën italiane, që këto ndryshime të hyjnë në fuqi pas dy vitesh.
Janë 300 kompani në fushën e ?Call Center? në Shqipëri, kontratat më të mëdha të të cilave janë me Italinë, për shkak edhe të njohjes së kësaj gjuhe.
Nëse ato mbyllen, shkalla e punësimit bie me 16%, ndërsa buxhetit të shtetit i ikin miliona dollarë të ardhura që vijnë nga sigurimet shoqërore dhe tatimi mbi fitimin.