Presidenti Bujar Nishani përmes një letre drejtuar Kuvendit ka shprehur rezervat e tij në lidhje me projekt-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017. Kreu i Shtetit e cilëson draftin e hartuar nga Ministria e Financave në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe në Strategjinë Ushtarake.
Bujar Nishani, President i Republikës: Buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është përcaktuar të jetë në nivelin e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në këtë draft buxhet janë alokuar 25 % më pak se detyrimi i përcaktuar (1%), dhe rrjedhimisht buxheti i planifikuar për 2017 do të zbresë në 0.75 % të PBB-së! Krahas të qënit një ulje drastike me ndikim në arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes, kjo është më e ulëta që prej vitit kur Shqipëria mori statusin e vendit Aspirant në vitin 1999. Vë në vëmendjen Tuaj se në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes pas vitit 2015 është parashikuar jo më i vogël se 1.5% e PBB-së, kur në fakt, rezulton se projekt ? buxheti i planifikuar për vitin 2017 është parashikuar sa gjysma e këtij objektivi.
Presidenti Nishani, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura thotë se buxheti i planifikuar nuk reflekton shqetësimet serioze të ngritura në mënyrë konstante nga aleatët tanë strategjikë dhe vendet partnere të Aleancës ku Shqipëria bën pjesë.