http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një ditë pas vrasjes së Nelgert Patës policia e Fierit ka liruar mbi 15 të shoqëruar, të cilët dhanë dëshmitë për atentatin mbi 34-vjecarin. Burime pranë uniformave blu thanë se edhe miku i tij që drejtonte mjetin nuk dha detaje për hetimin. Ari Halinani i cili mbeti i plagosur tha se atentatorët u afruan shumë pranë automjetit të cilin drejtonte dhe qëlluan me breshëri ndaj Patës, ndonëse plumbat prekën dhe atë. Sipas 38-vjecarit personat ishin të maskuar dhe kishin zënë pritë në aksin Fier - Seman në vendin e quajtur Qenas. Pak minuta më pas policia gjeti mjetin e braktisur të atentatorëve, por dhe dy armët që u përdorën në krim. Makina tip benz me portobagazh u gjet e djegur në fshatin Zhupan. Ekspertiza balistike nuk ndihmoi pasi nuk u gjet asnjë gjurmë. Nelgert Pata është një emër i njohur për drejtësinë në vend. Ai është dënuar nga Gjykata e Lartë me 9 vite burg për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit sëbashku me babain e tij Astrit Pata. Me 21 gusht të këtij viti ai shpëtoi një tjetër atentati në rrugën e Kavajës, pranë ish-parkut të autobusëve. Ndonëse kërkohej nga policia për moskallëzim krimi, Pata preferoi të zgjidhte vetë konfliktet mes bandave. 34-vjecari dyshohet se ka lidhje me Jani Aliajn dhe Renato Milloshin, dy të kërkuar për vrasjen e Elton Çiçës në maj të këtij viti. Nga ngjarjet kriminale të ndodhura mes dy grupeve dyshohet të jetë edhe plagosja e Andi Mustafarajt në tetor në një lokal pranë ish-ekspozitës në Tiranë. Mustafaraj kishte patur lidhje të ngushta me Elton Çiçën. Këtu është përqendruar dhe pista kryesore e hetimit të policisë së Tiranës, e cila ka marrë në pyetje Mustafarajn. Burime pranë uniformave blu thanë se i riu që mbeti i plagosur në lokal dyshohet se ka dijeni për atentatorin ndonëse nuk dha identitetin e tij. Deri më tani përplasja mes bandave të Elton Cicos dhe Jani Alisë ka lënë pas 4 viktima 5 persona të plagosur dhe 4 atentate të dështuara për eliminimin e rivalëve.