Gjykata e Janinës i shpalli fajtorë dy nëpunësit e Ministrisë së Jashtme shqiptare, që transportonin tekste shkollore për në Greqi. Altin Tafa dhe Agim Asllani u dënuan me nga 30 muaj me kusht. Kjo nënkupton se ata do qëndrojnë të lirë, por nuk duhet të kryejnë vepra penale. Gjithashtu nuk u lejohet hyrja në territorin grek.
Dy nëpunësit e Shtetit Shqiptar u shpallën fajtorë për akuzën ?tentativë për futjen e materialeve propagandistike në Greqi?. Ata u ndaluan para disa ditëve dhe janë marrë në pyetje pasi transportonin libra për mësimin e Gjuhës Shqipe në Greqi. Mes librave kishte dhe harta me vendndodhjet e shqiptarëve në Ballkan. Këto të fundit janë konsideruar nga policia greke si material propagande, që evokojnë Shqipërinë e Madhe.
Tafa dhe Asllani nuk ishin prezentë në sallën e gjyqit. Si dëshmitarë të akuzës deponuan punonjës grekë të Doganës dhe Policisë së Kakavijës.
Dënimi i tyre vjen në një kohë kur marrëdhëniet Athinë - Tiranë janë të tensionuara për shkak të replikave mes dy qeverive. Debatet nisën për shkak të një postimi të Kryeministrit Edi Rama në Facebook, ku shkruante se tempulli i Akropolit të lashtë, u mbajt në këmbë nga shqiptarët. Këto fjalë nxitën analistët grekë të shkruajnë se Shqipëria ndikohet nga Turqia në Ballkan dhe se Athina mund t?i vendosë veto vendit tonë për anëtarësimin në BE.